Paga mesatare rritet, por gjysma e të punësuarve në vend marrin më pak se 60 mijë lekë neto në muaj
Paga mediane arriti në 74,010 lekë bruto, por gjysma e punonjësve në vend vijojnë të kenë të ardhura neto nën 60 mijë lekë në muaj.

Pagat në Shqipëri vijuan rritjen edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, të mbështetura nga nevoja e bizneseve për të tërhequr dhe mbajtur fuqinë punëtore në kushtet e mungesës së punonjësve. Megjithatë, të dhënat tregojnë se një pjesë e madhe e të punësuarve vazhdon të përballet me të ardhura relativisht të ulëta.
Sipas të dhënave të INSTAT, paga mediane mujore bruto arriti në 74,010 lekë në tremujorin e parë të vitit 2026, me një rritje vjetore prej 19 për qind. Ky tregues nënkupton se gjysma e punonjësve me pagë në vend marrin më pak se 74,010 lekë bruto në muaj, ndërsa gjysma tjetër paguhet mbi këtë nivel.
Pas zbritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, sigurimeve shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat, paga mediane përkthehet në rreth 60 mijë lekë neto në muaj. Kjo do të thotë se saktësisht gjysma e të punësuarve në Shqipëri marrin më pak se ky nivel të ardhurash.
Rritja më e fortë në fillim të vitit
Rritja më e ndjeshme e pagës mediane është regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2026. Krahasuar me fundin e vitit 2025, paga mediane u rrit me 11.2 për qind, kryesisht si rezultat i efekteve të rritjes së pagës minimale, e cila ka krijuar një efekt zinxhir në të gjitha kategoritë e pagave.
Në të njëjtën kohë, paga mesatare bruto arriti në 90,119 lekë në muaj, me një rritje vjetore prej 9.6 për qind. Paga mesatare rezulton rreth 18 për qind më e lartë se paga mediane, megjithëse diferenca mes tyre është ngushtuar krahasuar me vitin 2025.
Kjo tregon se pagat e ulëta dhe ato të nivelit të mesëm janë rritur më shpejt sesa pagat shumë të larta, të cilat zakonisht ndikojnë më fort në treguesin e pagës mesatare.
Paga mediane jep pamjen reale të tregut
Ndryshe nga paga mesatare, e cila mund të ndikohet ndjeshëm nga një numër i kufizuar pagash shumë të larta, paga mediane konsiderohet nga ekonomistët si treguesi më realist i standardit të jetesës së shumicës së të punësuarve.
Të dhënat tregojnë se, pavarësisht rritjes së pagave, niveli i të ardhurave për një pjesë të madhe të forcës së punës mbetet sfidues përballë kostove në rritje të jetesës, veçanërisht në zonat urbane.
Strehimi mbetet sfida kryesore
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se një pagë neto prej rreth 60 mijë lekësh në muaj mbetet e pamjaftueshme për të siguruar një standard të rehatshëm jetese për një person që jeton vetëm dhe paguan qira. Në këto raste, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave shkon për strehimin, duke kufizuar mundësinë për kursime apo shpenzime të tjera.
Nëse individi nuk ka shpenzime për qira, e njëjta pagë mund të sigurojë një nivel më të qëndrueshëm jetese. Megjithatë, në kushtet e tregut aktual të banesave, veçanërisht në Tiranë, kostoja e strehimit mbetet një nga faktorët kryesorë që ndikon fuqinë blerëse të familjeve.
Përllogaritjet tregojnë se paga neto prej 60 mijë lekësh funksionon më mirë si një e ardhur e dytë brenda familjes ose për të rinjtë që sapo kanë hyrë në tregun e punës dhe nuk përballen ende me detyrime të mëdha familjare apo kosto të larta strehimi.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)